
Aktori i ka thënë po ftesës për të qenë pjesë e “Ferma VIP”, që ka nisur javën e shkuar. Duhet thënë se prania e tij në këtë reality, ka kuriozuar fansat, që do të kenë mundësi të shikojnë Erandin në një format tërësisht të ndryshëm.
Por në televizion, Erandi kthehet ndryshe nga sa u largua vite më parë. Burime bëjnë me dije se aktori është ndarë nga bashkëshortja e tij, Rina Narazani.
Çifti, kishin një histori të gjatë dashurie si dhe një bashkëpunim të përkryer edhe në skenë. Kujtojmë se ai dhe Rina kanë qenë së bashku në skenën e “Portokalli”, vite më parë me rolin e “Thëllëzës” dhe “Naqes”. Pas një periudhe që jetuan të ndarë, ku Rina dhe fëmijët ishin larguar në SHBA, ndërsa Erandi vijoi edhe për pak në Shqipëri, dyshja ia doli që niste karrierën edhe në SHBA.
Por atëherë kur dukej se u plotësua edhe tabloja e familjes perfekte, diçka ka ndodhur dhe çifti i ka dhënë fund. Miqtë e afërt e kanë ditur një fakt të tillë prej kohësh, por kanë preferuar që mos të flasin rreth arsyeve që kanë çuar në këtë divorc. Vetë aktori nuk ka folur asnjëherë për ndarjen nga partnerja e tij, duke preferuar që të gjithë vëmendjen ta orientojë në punët e tij që bën në kinematografi.