Arian Çani: Fredi Beleri bëri një vit burg kot!

Në një intervistë në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në “Dritare TV”, gazetari i njohur Arian Çani ka shprehur mendimet e tij për Fredi Belerin.

Çani ka folur për perceptimin e gabuar që ka krijuar opinioni publik për Belerin, duke theksuar se ai është një intelektual i shkëlqyer, por që ka një problem të madh: paaftësinë për të komunikuar në gjuhën shqipe në një nivel të lartë.

Çani, duke iu referuar të kaluarës së Belerit, theksoi se ai ka mbaruar studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Athinë dhe ka punuar edhe si hidraulik kur ishte më i ri. Sipas tij, ajo që ndodh është se Fredi Beleri ka pasur vështirësi në komunikim, ndonëse është një person i zgjuar dhe ka njohuri të mëdha.

“Po të dinim të merreshim vesh greqisht, publiku do të habitej dhe do të thoshte: ‘Ua, ky qenka intelektual i madh’. Por e vërteta është se shumë nga ata që kanë biseduar me të janë habitur nga dijet dhe angazhimi i tij,” u shpreh Çani në emision. Ai gjithashtu theksoi se perceptimi i gabuar për Belerin është krijuar kryesisht për shkak të mangësive në komunikim në gjuhën shqipe, e cila ka ndikuar negativisht në figurën e tij politike.

Përsa i përket çështjes së burgimit të Belerit, Çani tha se ai beson se është një periudhë e humbur për të dhe që nuk ka pasur fare arsye. “Fredi Beleri ka bërë një vit burg kot. Nuk është e drejtë që të izolosh kundërshtarin politik, pavarësisht se mund të mos pajtohesh me të,” shtoi ai.

Sa i përket reagimit të kryeministrit Edi Rama ndaj çështjes Beleri, Çani ishte më i rezervuar, duke thënë se është ende herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar: “Për këtë do të mësojmë më vonë. Hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë, dhe këtë nuk duhet ta harrojmë,” përfundoi gazetari Arian Çani