
Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici kërkon që të lërë qelinë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Mësohet se ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit po kërkon lirinë me kusht dhe do të jetë Gjykata e Elbasanit ajo e cila do të vendosë këtë të enjte lidhur me kërkesën e Gjicit.
Ai pretendon se gjendja e tij shëndetësore ja pamundëson qëndrimin në qeli. Kjo nuk është hera e parë që ish-kryebashkiaku kërkon një masë më të lehtë sigurie.
Newsbomb.al edhe më herët ka raportuar lidhur me gjendjen shëndetësore të ish-kryebashkiakut të Kukësit i cili disa herë është paraqitur pranë ambienteve të një spitali privat në kryeqytet për të marrë ndihmë mjekësore.
Më herët bëmë me dije se Gjici vuan nga një sëmundje e rëndë e cila kërkon kujdes maksimal dhe mbikëqyrje mjekësore permanente.
Ish-kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici u dënua me 3 vite burgim nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë Alma Kaçi u dënua me 1 vit burgim nën akuzën e prostitucionit.
Safet Gjici dhe Alma Kaçi akuzohen lidhur me video-skandalin në zyrën e bashkisë, ku dyshja kryen marrëdhënie seksuale. Video skandali nga ambientet e zyrës së bashkisë Kukës u publikua në qershor të 2023-it.
Më 7 shkurt 2024, Gjykata e Posaçme shpalli verdiktin dhe dënoi me 3 vite burgim ish-kryetarin e bashkisë së Kukësit, Safet Gjici për akuzën e korrupsionit. Sakaq për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi për Gjicin u ul me 1 vit.